Prishtinë, 15 maj 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve G.K dhe G.K për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 179 lidhur me nenin 28 të KPK-së, veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 të KPK-së, veprës penale Sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 410 par.2 të KPK-së dhe veprës penale Blerja, posedimi, shpërndarja e substancave narkotike apo substancave psikotrope ose analoge nga neni 273 të KPK-së.
Të pandehurve G.K dhe G.K iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt.15.05.2018 deri me dt.15.06.2018.
Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve, si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurve dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale, bazuar në nenet 187 par.1, nënpar1.1 dhe 1.2 të KPRK-së.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.