Prishtinë, 03 maj 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2018 ka filluar me gjithsejtë 92733 lëndë në punë, të pakryera të bartura nga viti 2017, të të gjitha lëmive, që nënkupton se janë 11659 lëndë më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar 2017, që kanë qenë gjithsejtë në punë 104392 lëndë.
Gjatë periudhës raportuese gjegjësisht në tremujorin e parë 2018, janë pranuar në punë edhe 5959 lëndë, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe prej 01.01.2018 deri me dt.30.03.2018, kjo gjykatë ka pasur në punë gjithsejtë 98692 lëndë, e që i bie se çdo gjyqtar ka qenë i ngarkuar me 1702 lëndë.
Një numër i konsideruar i gjyqtarëve nuk janë ngarkuar ende me lëndë sepse gjenden në trajnim paraprak në Akademinë e Drejtësisë në Prishtinë, pas emërimit në pozitën e gjyqtarit.
Gjatë kësaj periudhe raportuese janë kryer gjithsejtë 9425 lëndë, që do të thotë se në përpjesëtim me numrin e gjyqtarëve aktiv të ngarkuar me lëndë, Gjykata Themelore në Prishtinë, është gjykata e parë në vend për nga numri i lëndëve të ngarkuara dhe numri i lëndëve të kryera është mbi mesataren e lëndëve të kryera në nivel vendi për një gjyqtar.
Duke pasur parasysh faktin se në fillim të periudhës raportuese kanë qenë në punë 92733 lëndë, ndërsa në fund të periudhës raportuese kanë mbetur të pa kryera edhe 89244 lëndë, rezulton fakti se tani aktualisht numri i lëndë të pa kryera është më i vogël, është zvogëluar për 3489 lëndë më pak, që do të thotë se kjo gjykatë e ka realizuar objektivin primar në raport me strategjinë shtetërore për reduktimin e lëndëve të vjetra, njëherit jemi në rrugë të duhur që të vazhdoj edhe më tutje ky trend pozitiv, deri në kryerjen e të gjitha lëndëve të konsideruara të vjetra.
Efikasiteti i përgjithshëm i gjykatës për këtë periudhë raportuese rezulton të jetë 158.16 %, bazuar në raportet e statistikore të përpunuara nga SKGJK.
Vetëm në Departamentin e Krimeve të Rënda të kësaj gjykate, gjatë kësaj periudhe janë kryer 176 lëndë, ndërsa janë pranuar 87 lëndë, që do të thotë se janë kryer 89 lëndë më shumë se sa që janë pranuar.
Në këtë mënyrë kjo gjykatë i ka përmbushur objektivat e veta strategjike në kryerjen e lëndëve me prioritet me karakter shtetëror, e po ashtu edhe lëndët që lidhen me proceset integruese, posaçërisht liberalizimin e vizave, në kuadër të të cilit Departament bëjnë pjesë këto lëndë.
Po ashtu edhe efikasiteti i Degëve të kësaj gjykate gjatë kësaj periudhe ka shënuar rritje, si në Degën e gjykatës në Podujevë, Lipjan, Gllogoc dhe Graçanicë, si në vijim:
Efikasiteti i Degës në Podujevë – 209,69 % / numri i lëndëve të vjetra është reduktuar për 1857 lëndë më pak se në periudhën e kaluar raportuese.
Efikasiteti Degës në Lipjan- 102,89 % / numri i lëndëve të vjetra është reduktuar për 25 lëndë më pak se në periudhën e kaluar raportuese.
Efikasiteti i Degës në Gllogoc- 170,81 % / numri i lëndëve të vjetra është reduktuar për
558 lëndë më pak se në periudhën e kaluar raportuese.
Efikasiteti i Degës në Graçanicë- 241,82 % / numri i lëndëve të vjetra është reduktuar për 78 lëndë më pak se në periudhën e kaluar raportuese.
Nga e tërë kjo rezulton se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sikurse në të gjitha Degët e Gjykatës, gjatë kësaj periudhe raportuese janë kryer më shumë lëndë se sa që janë pranuar, dëshmi se në këtë gjykatë, nuk ka munguar përkushtimi dhe angazhimi, në asnjë moment edhe në këto kushte që posedojmë, në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të parapara ligjore, si nga gjyqtarët po ashtu edhe nga stafi mbështetës profesional dhe administrativ i gjykatës.