Prishtinë, 05 mars 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G. Gj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Grabitja nga neni 329 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të pandehurit L.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Grabitja nga neni 329 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurve G. Gj dhe L.B iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt.03.03.2018 deri me dt.03.04.2018.
Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në bashkëkryerje, me përdorimin e forcës dhe me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme me dt. 25.02.2018, rreth orës 00:15, në Prishtinë, në lagjen Emshirë, kanë kanosur me armë të dëmtuarën F.J-B, duke ja drejtuar armën në fytyrë, kështu qe në atë moment e dëmtuara nga frika e ka lëshuar çantën në të cilën ka pasur 260 euro, një zinxhir të arit dhe dokumentet personale.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.