Prishtinë, 01 janar 2018 – Sot, një trup gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një gjyqtar vendas e nxori aktgjykimin kundër të akuzuarit N. K.
I akuzuari N.K është shpallur fajtor për një pikë të aktakuzës lidhur me trafikimin e narkotikëve: se në korrik/gusht të vitit 2003 në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, duke vepruar pa pasur autoritet dhe së bashku me qëllim të kryerjes së veprës penale me personin e emërtuar në këto procedura si K2, si dhe me tre persona të tjerë të paidentifikuar, ai i ka hedhur në qarkullim 25 kg të një substance e cila përbënte një narkotik veçanërisht të rrezikshëm, do të thotë heroinë e bardhë, në atë mënyrë që ai e kishte angazhuar K2 që ta drejtonte automjetin Volkswagen Caddy për në Austri me 25 kg të kësaj substance të fshehur në një pjesë të përshtatur të kulmit të automjetit, të cilën substancë më pas e kishin marrë persona të paidentifikuar pasi që K2 kishte arritur në Austri.
Për këtë vepër penale N.K u dënua me 6 vjet burgim. Periudha gjatë të cilës ai ishte i privuar nga liria prej datës 13 maj 2013 deri më 27 qershor 2017 është llogaritur në dënimin me burgim të shqiptuar ndaj tij.
I akuzuari N.K është liruar nga 8 pika tjera të aktakuzës lidhur me trafikimin e narkotikëve, duke përfshirë krimin e organizuar, sepse nuk është vërtetuar që ai i ka kryer këto vepra. Po ashtu, ai është liruar nga akuzat lidhur me vrasjen e Ramiz Delalic Celo.
Ky aktgjykim nuk është përfundimtar. Të dyja palët kanë të drejtë ankese kundër tij brenda 15 ditëve pasi t’u dorëzohet aktgjykimi në formë të shkruar.