Prishtinë 03 nëntor 2017 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, sot ka pritur në vizitë Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, të shoqëruar edhe nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj.
Me këtë rast, kryetarja Bytyçi e njoftojë ministrin Tahiri me punën dhe sfidat nëpër të cilën po kalon Gjykata Themelore në Prishtinë, duke theksuar faktin se bazuar në raportet e vitit 2017 vërehet një rritje e numrit të lëndëve të përfunduara në gjykatë, e posaçërisht një numër i lëndëve të vjetra, gjë që është dëshmi para qytetarëve të Kosovës, se në sistemin gjyqësorë po punohet dhe po bëhen ndryshime pozitive në sistem të drejtësisë, po ashtu kryetarja ka vlerësuar edhe punën e madhe në trajtimin e rasteve në Departamentin e Krimeve të Rënda, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në anën tjetër, ministri Tahiri deklaroi se Gjykata Themelore në Prishtinë, duke e pasur parasysh se është gjykata më e madhe në vend, ka arritur të bëjë përmirësime, në atë mënyrë që, edhe perceptimi i qytetarëve të ndryshojë dhe njëkohësisht premtoi se do ta mbështesë sistemin e drejtësisë, konkretisht në luftën kundër terrorizmit, luftimin e krimit të organizuar dhe në rastet e korrupsionit.
Ministri Tahiri theksoi se Ministria e Drejtësisë e mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin Gjyqësorë të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe premtoj se do të jetë i hapur në çfarëdo bashkëpunimi që kërkohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për plotësim – ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, të cilët sipas ministrit, do të procedohen së shpejti. Po ashtu, ministri deklaroi se e përkrah idenë që të ketë një kolegj special brenda Gjykatës, me qëllim që të trajtohen lëndët e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Takimi u përmbyll me diskutime edhe rreth shtimit të numrit të gjyqtarëve të rinj dhe bashkëpunëtorëve profesional, me qëllim të arritjes së rezultateve më të mëdha në Gjykatë, dhe krejt në fund është mbajtur edhe një konferencë për media.