Prishtinë, 29 tetor 2017 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.R, Xh.R, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje nga neni 179 par. 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje nga neni 179, par. 1.8 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të KPRK-së, kundër të pandehurve M.R dhe F.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 179 par. 1.8 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK dhe veprën penale Mbajtja në pronësi në kontroll në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të KPRK-së, ndërsa kundër të pandehurit P.R, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dëmtimi apo shkatërrimi i pasurisë nga neni 333 par. 1 të KPRK-së.
Të pandehurve B.R,Xh.R, M.R dhe F.R ju është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej datës 26.10.2017, deri me datën 26.11.2017, ndërsa për të pandehurin P.R, Gjykata urdhëron masën paraqitje në stacion policor, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej datës 26.10.2017 deri me datën 26.11.2017.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë së pandehurve në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës.