Prishtinë, 19 korrik 2017 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur Aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.L, G.H, M.H, E.L të cilët në bashkëkryerje me të akuzuarin B.I i cili gjendet në arrati kanë kryer veprën penale Bashkëkryerje, shtytja për kryerjen e veprave terroriste në tentativë, nga neni 141 par.1 dhe 2 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj të akuzuarit dhe F.M i cili ka kryer veprën penale Ndihma në kryerje e veprës penale shtytja për kryerjen e veprave terroriste në tentativë, nga neni 141 par.1 dhe 2 lidhur me nenin 28 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari B.L është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej katër (4) vite e gjashtë (6) muaj.
Të akuzuarit G.H, M.H dhe E.L janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me burg në kohëzgjatje prej tri (3) vite e gjashtë (6) muaj.
I akuzuari F.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej tri (3) vite.
Gjykata paraprakisht ka gjetur se të akuzuarit në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin B.I i cili gjendet në arrati, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë, pas marrëveshjes paraprake, kishin përgatitur veprën penale terroriste ashtu që me dt.10.07.2015 rreth orës 23.30 në afërsi të liqenit të Badovcit, që me ikonografinë e territorit të organizatës terroriste ISIS kishin pasur qëllim të incizojnë një video propaganduese dhe që të lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të kësaj organizate terroriste dhe që të bëjnë publikimin e kësaj video në internet, për ta dëshmuar para botës shtrirjen e të ashtuquajturit ”Shteti islamik”, në Republikën e Kosovës .
Koha e kaluar në paraburgim për të gjithë të akuzuarit nga data 11.07.2015 e tutje do t’iu llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim, andaj është vazhduar masa e paraburgimit ndaj të akuzuarve deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Rasti është kthyer në rigjykim një vit më parë nga Gjykata Supreme e Kosovës.