Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur aktgjykimin për të akuzuarin H.H për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së .
I akuzuari H.H është shpallur fajtorë dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) viteve dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 (tri) viteve pas mbajtjes së dënimit me burgim.
I akuzuari H.H duke qenë në cilësinë e personit zyrtar- kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me qëllim që të mundësoj tjetrit përfitim të dobisë pasurore, i tejkalon kompetencat e tij ligjore në atë mënyrë që, me dt.03.10.2014 dhe 09.10.2014, në Prishtinë, në cilësinë e kryetarit të OSHP-së, e në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik nr.04/L-042 (neni 105.1), Rregulloren e Punës së OSHP-së (neni 14) dhe dispozitave të Ligjit të Procedurës Administrative nr.02/L-28 (neni 97), duke vendosur me konkluzion si çështje ‘’Res Judicata’’, pa i shqyrtuar fare, i ka refuzuar ankesat e operatorëve ekonomik ‘Caraglio SRL&NTSH Electra’’ të dt.02.10.2014 dhe konzorciumit ‘’C&GD.O.O & Komtel Project Engineering’’ SH.P.K., të dt.03.10.2014, të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT SH.A., për aktivitetin e prokurimit ‘’Instalimi i Grupeve Matëse në kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSH, me nr. të Prokurimit 14-12-84-511, me të cilin vendim, autoriteti kontraktues pas procedurës së rivlerësimit e kishte shpallur fitues OE ‘Monten&G3 Engineering’’ SH.P.K., edhe pse kompetent për vendosje për ankesë ka qenë Paneli Shqyrtues i OSHP-së, dhe atë në përbërje prej pesë anëtarëve, pasi vlera e kontratës së nënshkruar për këtë projekt ishte 2,327.240,19 euro, ashtu që duke i tejkaluar autorizimet dhe kompetencat e tij, ia ka mundësuar fitimin e kontratës në këtë projekt operatorit ekonomik ‘’Monten&G3 Engineering’’.