Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë z. Hamdi Ibrahimi, javën e kaluar ka pranuar 2 kërkesa nga mbrojtësit e të akuzuarit Fatmir Limaj.
Një kërkesë për anulimin e aktvendimit të trupit gjykues me të cilin është refuzuar kërkesa për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, dhe një kërkesë për përjashtimin e tërë trupit gjykues.
Kryetari i Gjykatës ka refuzuar kërkesën për anulimin e aktvendimit të trupit gjykues me të cilin është refuzuar kërkesa për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues si kërkesë të palejuar- sepse Kodi i Procedurës Penale nuk parasheh mundësinë që kryetari i Gjykatës të anuloi këtë vendim.
Sa i përket kërkesës për përjashtimin e tërë trupit gjykues, kryetari i Gjykatës ka kërkuar deklaratën e kryetares së trupit gjykues e cila e ka njoftuar kryetarin se nuk ka qenë e përfshirë në asnjë rast penale ndaj tani të akuzuarit Fatmir Limaj, e as në çështjen e njëjtë penale në ndonjë fazë të mëhershme të procedimit. Mbrojtësit e të akuzuarit në kërkesë për përjashtim nuk kanë prezantuar asnjë argument se përse duhet të përjashtohen anëtarët e tjerë të trupit gjykues. Në prani të këtyre rrethanave kryetari i Gjykatës i ka rikujtuar trupit gjykues se është në kompetencën e trupit gjykues që të vendos edhe për këtë kërkesë për përjashtimin e tërë trupit gjykues-sepse kërkesa është paraqit gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe kryetarja e trupit gjykues përkatësisht anëtarët tjerë nga kryetari i gjykatës nuk kanë kërkuar përjashtimin e tyre nga vendosja në këtë çështje penale. Në lidhje me këtë kërkesë vendoset në aplikim të nenit 42 par.4 të Kodit të Procedurës Penale për kërkesa që dorëzohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Vendimi i kryetarit të Gjykatës, në javën e kaluar u është ekspeduar trupit gjykues,dhe palëve.