Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda pas seancës dëgjimore ,me rastin e vendosjes sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tani të pandehurve A.A , A.D,E.H,F.K,P.A dhe A.B , për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale Kryerje e veprës terroriste nga neni 136 par. 1 lidhur me nenin 135 par. 1 nënpar. 1.7 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurin A.D ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të KPRK, me datë 01.09.2016 ka marr ka caktuar masën e paraburgimit për të pandehurit A.A, E.H dhe A.D në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji duke filluar prej datës 30.08.2016 deri me datë 29.09.2016, ndërsa kundër të pandehurve F.K ,P.A dhe A.B Gjykata urdhëron masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, duke llogaritur periudhën prej datës 30.08.2016 deri me datë 29.09.2016 .
Arsyet për caktimin e masës së sigurisë janë sepse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.A, A.D, F.K, E.H, P.A dhe A.B duke vepruar në grup dhe në role të ndara kanë përgatitur dhe planifikuar veprimet e tyre me qëllim të frikësimit serioz të popullatës së Kosovës dhe shkaktimit të pasigurisë së qytetarëve, ashtu që me dt. 04.08.2016, rreth orës 23:05, nga parkingu i cili gjendet përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, përkatësisht në rr. “Zenel Salihu” në afërsi të ish objektit të ish Gjykatës Komunale në Prishtinë, me raketa-hedhës dore PRG kanë kryer sulm ndaj objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me ç’rast nuk ka pasur pasoja në njerëz por vetëm dëme materiale të shkaktuara në muret e ndërtesës si dhe në sallat nr. 301 dhe 402 si dhe dëmtimi i dritares dhe disa veturave zyrtare të cilat ishin të parkuara në parkingun e ndërtesës, dhe pastaj me qëllim të zhdukjes së gjurmëve motocikletën e kanë djegur në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur edhe një shishe mollotovi, ndërsa të nesëmen me dt. 05.08.2016, në ora 14:05, kanë dërguar një email në media të ndryshme me përmbajtje “Rugova nuk ka bjeshkë me i dhënë Malit të Zi, sulmi i kemi ba Kuvendit është vetëm paralajmërim për Qeverinë për mos me i shitë tokat e Kosovës”, me çka e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin e kryer, ndërsa me datë 30.08.2016, me rastin e kontrollit, të banesave të të pandehurve te i pandehuri A.A në tavan të shtëpisë është gjetur një kallashnjikov si dhe karikatori me municion, ashtu përgjegjësinë për këte e ka marrë babai i tij R.A, tek i pandehuri E.H është gjetur revolja me numër serik D36482 dhe dy fishekë për të cilën përgjegjësinë e ka marrë vllau i tij R.H, ndërkaq tek i pandehuri A.D një revole me dy fishekë e llojit magnum Zastava 357 me numër serik 18841 një kutim me 23 fishekë dhe një sprej me mbishkrimin “Nato” të cilat armë i pandehuri i ka mbajtë pa leje.
Me veprimet inkriminuese të përshkruara më lartë ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.A, E.H, A.D, F.K, P.A, dhe A.B kanë kryer veprën penale: Kryerje e veprës terroriste nga neni 136 par. 1 lidhur me nenin 135 par. 1 nënparagrafi 1.7 të KPRK-së, ndërkaq ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A .D ka kryer edhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të KPRK. Ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit respektivisht të arrestit shtëpiak kundër të pandehurve të lartcekur duke u bazuar në nenin 187 par. 1. Nënpar. 1.1, 1.2 dhe nenin 183 par 1 nënpar. 1.1. dhe 1.2. pika 1.2.1. të KPPK-së për caktimin e paraburgimit respektivisht të arrestit shtëpiak, për të pandehurit, sepse po të gjenden në liri apo liri të plotë, duke marrë parasysh veprën penale për të cilën dyshohen të njejtit, mund të arratisen dhe mund të jenë të paarritshëm për organet e ndjekjes.