Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda sot është shpallur aktgjykimi në çështjen penale të tani të akuzuarve V.B, e akuzuar për shkak të veprës penale Marrja e Ryshfetit nga nenit 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ,ndërsa I.K dhe I.S të akuzuar për shkak të veprës penale Ushtrimi i Ndikimit nga neni 431 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
E akuzuara V. B është shpallur fajtore dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) viteve, në të cilin dënim llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 22.08.2015 e deri me datë 26.11.2015, e të cilin dënim e akuzuara do ta mbaj pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, dhe me dënim me gjobë në shumë prej 5.000,00 (pesëmijë) euro, e të cilin dënim e akuzuara duhet ta paguaj në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Të akuzuarës i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik për një periudhë kohore prej 3 (tri) viteve duke filluar nga dita kur e përfundon mbajtjen e dënimit me burgim.
I akuzuari I.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 17.09.2015 e deri me datë 15.10.2015, e të cilin dënim i akuzuari do ta mbaj pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari I.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 3.000,00 (tremijë) euro, në të cilin dënim llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 30.08.2015 e deri me datë 23.09.2015, dhe koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak nga data 23.09.2015 gjer me datë 26.11.2015, e të cilin dënim i akuzuari do ta paguaj në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi.