Ka arritur moshën e pensionimit gjyqtarja Shpresa Hasaj Hyseni

Ka arritur moshën e pensionimit gjyqtarja Shpresa Hasaj Hyseni

Prishtinë, 31 Mars 2023 – Është pensionuar gjyqtarja e Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shpresa Hasaj – Hyseni, pas një përvoje të suksesshme në sistemin gjyqësorë.

Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mentor Bajraktari në emër të kryetares së gjykatës Albina Shabani – Rama, gjyqtarëve dhe stafit administrativ të kësaj gjykate, e falënderoj gjyqtaren Shpresa Hasaj – Hyseni për angazhimin dhe kontributin e saj në sistemin e drejtësisë, duke i uruar pensionim të mbarë, shëndet dhe gjitha të mirat në jetë.

Gjyqtarja Shpresa Hasaj – Hyseni ka ushtruar funksionin e saj si gjyqtare në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjyqtarja Hasaj-Hyseni ka diplomuar në Fakultetin Juridik – Universiteti i Prishtinës në vitin 1977, ndërsa provimin e jurisprudencës e kreu në vitin 1988. Nga viti 1983 deri në vitin 1984 ajo ushtroi detyrën e bashkëpunëtores profesionale në Sekretariatin Krahinor të Jurisprudencës, ndërsa nga viti 1985 deri më 1990 ka ushtruar detyrën si Këshilltare e Sekretariatit Krahinor të Jurisprudencës. Më 1999 është emëruar gjyqtare në Gjykatën Komunale në Prishtinë. Më 01.01.2013 Hyseni është emëruar gjyqtare në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pozitë të cilën e mbajti deri me rastin e pensionimit të saj.