Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.B për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile

Gjykata Themelore në Prishtinë ka  shpallur  aktgjykimin kundër të akuzuarit S.B për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile

Prishtinë, 08 shtator 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.B për shkak të veprës penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 të LP të RSFJ-së, si ligj në fuqi në Kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht e ndëshkueshme sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës, nga neni 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së) Nr.06/L-074.

I akuzuari S.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej prej 5 (pesë) vite, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga data 22.12.2020 deri sa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Meqë të akuzuarit S.B gjykata në rastin konkret i ka shqiptuar dënimin me burg në kohëzgjatje 5 (pesë) viteve, konform nenit 367 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të njëjtit me aktvendim të posaçëm i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotëfuqishmëri të këtij aktgjykimi. Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest.

I akuzuari S.B në periudhën kohore korrik-gusht të vitit 1998, në fshatin Bellopojë, komuna e Pejës, në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, e merr peng të dëmtuarën T.K në atë mënyrë që ditën e incidentit, i armatosur shkon në shtëpinë e fqinjëve të tij-të dëmtuarve R.K dhe T.K, me ç’rast fillimisht gjuan me armë automatike në drejtim të kulmit dhe dritareve të shtëpisë të cilat i dëmton, pastaj hyn në shtëpi me pretekstin se po kontrollonte për njerëz të tjerë, më pastaj i nxjerr në oborr të dëmtuarit duke i urdhëruar që disa herë të ulen dhe të ngriten në këmbë dhe në atë moment, të dëmtuaren T.K e nxjerr në rrugë, kurse të dëmtuarit R.K i thotë se po e dërgonte gruan e tij në shtab të ushtrisë dhe policisë serbe në qendër të fshatit duke e paralajmëruar se mund ta merrte atë vetëm pasi t’i sillte pjesëtarët e UÇK-së dhe kështu e detyron të dëmtuaren T. që të niset nga shtëpia dhe të ecë përgjatë rrugës së fshatit në kohë nate dhe në kohë lufte, në një zonë jo shumë të banuar dhe pa ndriçim ashtu që e dërgon deri tek qendra e fshatit ku ndalet tek shitorja dhe në prezencë të shumë personave tjerë e mbështetë për muri, kurse vet me armë në dorë i rri përballë në distancë shumë të afërt, e në ndërkohë vie fqinji i të dëmtuares, dëshmitari M.S i cili përleshet me të pandehurin S.B  duke e goditur me grusht me ç’rast arrin të dëmtuaren T. ta kthej në shtëpinë e saj kurse të nesërmen i merr dy të dëmtuarit R.K dhe T.K i largon nga fshati Bellopojë duke ua krijuar mundësinë që të shkojnë në qytetin e Pejës.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtën e ushtrimit të ankesës, në Gjykatën e Apelit të Kosovës.