Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për të pandehuren A.R

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar  masën e paraburgimit për të pandehuren A.R

Prishtinë 14 qershor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures A.R, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Rrëmbimi nga neni 191 paragrafi 3 pika 3.2 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit  kundër  të pandehures A.R e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës  i  ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehures A.R  paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.2 e 1.2.3  të KPPRK-së.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda  është e bazuar dhe e argumentuar për këtë fazë të procedurës.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.