Është shpallur aktgjykimi kundër katër të akuzuarve për vrasjen e një të mituri

Është shpallur aktgjykimi kundër katër të akuzuarve për vrasjen e një të mituri

Prishtinë 07 qershor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve E.I, E.M, P.P dhe L.B të akuzuar sipas Aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

I akuzuari E.I është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 22 (njëzet e dy) vite për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1 dhe1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim ndërsa të njëjtit i vazhdohet masa  e paraburgimit për shkak të lartësisë së dënimit.

I akuzuari E.M  është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite  për veprën penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale nga neni 380 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nënparagrafi 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës  të cilin dënim do ta  mbajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në dënimin me burgim i  llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

I akuzuari P.P  është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vite për veprën penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale nga neni 380 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nënparagrafi 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës  të cilin dënim do ta  mbajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në dënimin me burgim i  llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim si dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 1000 (njëmijë) euro.

I akuzuari L.B  është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 6 ( gjashtë) muaj  për veprën penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale nga neni 380 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nënparagrafi 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës  të cilin dënim do ta  mbajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në dënimin me burgim i  llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

I akuzuari E.I është akuzuar nga Prokuroria Themeolore në Prishtinë sepse më datë 12 mars 2020 e kishte privuar nga jeta të miturin, tani të ndjerin L.B dhe me atë rast me dashje kishte vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Obligohet i akuzuari E.I që të paguajë në emër të paushallit gjyqësorë shumën prej 200 (dyqind) euro, ndërsa të akuzuarit E.M, P.P dheL.B për paushallin gjyqësorë do të paguajnë shumën nga 100 euro secili veç e veç, të gjitha në afatin prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu të akuzuarit  E.I, E.M, P.P dheL.B  për fondin e kompensimit të viktimave të krimit do të paguajnë secili veç e veç shumën prej 50 euro.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontestin e rregullt juridiko civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.