Mbahet mbledhja komemorative për gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Enver Shabanaj

Mbahet mbledhja komemorative për gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Enver Shabanaj

Prishtinë, 02 gusht 2021 – Sot në ambientin e Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur mbledhja komemorative për të nderuar dhe respektuar jetën dhe veprën e gjyqtarit Enver Shabanaj, i cili ndërroj jetë të premtën me datë 30 korrik 2021.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm familjarë dhe kolegë të të ndjerit, ndër ta edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z.Albert Zogaj dhe Kryetari i Gjykatës Supreme z.Enver Peci.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj.Albina Shabani-Rama tha se gjyqtari Enver Shabanaj padyshim ka lënë gjurmë të pashlyera në sistemin gjyqësor, duke u dëshmuar si punëtorë i zellshëm, çdo herë me përkushtim të lartë që drejtësia të arrihet në vend. Vlerësoj se kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm, në veçanti për Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe si i tillë do të na shërbejë si udhërrëfyes për të gjithë neve dhe brezat e rinjë, tha Kryetarja Shabani-Rama.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z.Albert Zogaj në fjalimin e tij lartësoi figurën e gjyqtarit Enver Shabanaj duke e vlerësuar lartë punën dhe kontributin e tij.

Kujtime për të ndjerin Shabanaj evokoi edhe kolegu i tij gjyqtari Latif Xhemajli duke kujtuar kolegialitetin e mirë dhe angazhimet e përbashkëta si gjyqtar të kësaj gjykate.

Në emër të familjes foli vajza e të ndjerit, e cila falënderoj Kryetaren Shabani-Rama si dhe kolegët e babait të saj për përkrahjen dhe mbështetjen që po i ofrojnë familjes Shabanaj gjatë këtyre ditëve të vështira nëpër të cilat po kalojnë.

Në fund të ceremonisë Kryetarja e Gjykatës znj.Albina Shabani-Rama ndau mirënjohje Post Mortum për gjyqtarin e ndjerë, Enver Shabanaj.