Zgjedhet nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë

Zgjedhet nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 28 korrik 2021- Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka aprovuar propozimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama për caktimin e nënkryetarit të gjykatës, gjyqtarin Dren Rogova.

Gjyqtari Dren Rogova është zgjedhur nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë me mandat pesë vjeçar, njëjtë sikurse mandati i Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në vazhdim gjeni biografinë e gjyqtarit Dren Rogova:

Dren Rogova është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë.  Ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Evropës Juglindore  në vitin 2008, ndërsa studimet master (LL.M) i ka kryer në Universitetin e Gracit “Karl Franzens” në vitin 2011. Provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2014. Nga viti 2010 deri në vitin 2012  ka punuar si Këshilltar Ligjor në Programin e USAID-it për përmbarimin e vendimeve (SEAD). Nga viti 2012 deri në vitin 2014 ka punuar në UNDP si zyrtar i projektit, ndërsa ka qenë i angazhuar edhe si ekspert ligjor në Projektin e BE-së për Përkrahje KGJK-së dhe KPK-së. Po ashtu, Rogova është angazhuar edhe si ekspert ligjor në Projektin e BE-së për Kodin Civil. Nga viti 2015 ka punuar si avokat, deri më 31.07.2017 kur është emëruar gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni për Çështje Civile, pozitë të cilën ende e mban.